“Kur hyra, pashë Talon që po e godiste”, Dumani rrëfen vrasjen e Fatmira Dedës: Ajo tentoi të hynte në garazh, por…

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka dhënë dëshmi tronditëse për vrasjen e Fatmira Dedës në vitin 2013, duke akuzuar Talo Çelën si ekzekutorin e saj. Gjatë seancës gjyqësore, Dumani tregoi se kur hyri në garazh, pa Çelën duke e goditur viktimën.

“Kur kam hyrë me makinë, pashë Talon që po e godiste atë të ndjerën. Ajo tentoi të hynte brenda garazhit të saj, por qepeni ngeli i hapur, sepse i ra në sup. Talo e tërhoqi dhe e godiste. E ndjera ngeli me fytyrë nga shkallët dhe këmbët nga hyrja e garazhit. E gjitha ka zgjatur shumë pak”, tha Dumani para gjykatës.

Sipas tij, plani për eliminimin e Dedës ishte ndryshuar, pasi ekzekutimi i saj në zonën ku jetonte do të kishte qenë më i vështirë. “Ishte më e thjeshtë për ne ta vrisnim te garazhi, sepse tek pallati i saj jetonte edhe Agroni”, tha Dumani. Ai tregoi se planin e kishte organizuar ai vetë me Festim Qolin, ndërsa Agron Qoli kishte rolin e informatorit.

Dumani theksoi se Fatmira Deda akuzonte vëllezërit Qoli për vrasjen e djalit të saj. “Tek karburanti, sa ishte Fatmira Deda gjallë, nuk afrohej askush. Pas vrasjes së saj, ai u nda mes dy vëllezërve, Petrit dhe Festim Qoli”, rrëfeu ai.

Në vijim të dëshmisë së tij, Dumani tregoi edhe komunikimin me Agron Qolin para vrasjes:
Avokati: “Në çfarë ore të ka ardhur thirrja nga Agron Qoli?”
Dumani: “Unë kisha shkuar pak më përpara se të vinte mesazhi dhe isha pozicionuar pranë pallatit. Mesazhi dhe kodi që ai përdori ishte ‘erdha’”.

Por, Agron Qoli e mohoi këtë version të ngjarjes, duke deklaruar:
“Për çfarë i duhesha unë, kur ky po e ruante vetë?”

Vendimi i gjykatës për pamjet filmike

Në seancë, avokati Ilia Ilia kërkoi që të shfaqeshin pamjet filmike të vendit të ngjarjes, por gjykata rrëzoi kërkesën.

“Pamjet nuk janë marrë në formën e kërkuar nga ligji. Për më tepër, vendi i ngjarjes mund të ketë ndryshuar me kalimin e kohës”, argumentoi gjykata.

Procesi ndaj kësaj ngjarjeje vijon, ndërsa dëshmitë e Dumanit hedhin dritë mbi një tjetër krim të rëndë të grupit kriminal të drejtuar nga Talo Çela.