Kuqezinjtë në një grup me Portugalinë, Francën e Gjermaninë, Tedesco: Nëse do të isha shqetësuar nuk do ta kisha pranuar për të qenë trajneri i Shqipërisë

Shqipëria U-17 do të debutojë nesër në ndeshjet finale të Kampionatit Europian “Shqipëri 2025” që do të zhvillohet në vendin tonë. Kuqezinjtë e vegjël do të luajnë ndeshjen e parë të grupit A kundër Portugalisë në stadiumin “Arena Kombëtare” në ora 18:00.

Në prag të kësaj sfide historike për Kombëtaren shqiptare U-17, trajneri Andrea Tedesco doli në një konferencë për media ditën e sotme dhe foli për objektivat e Shqipërisë në këto finale. Ndër të tjera, trajneri Tedesco foli për emocionet e zhvillimit të kampionatit në Shqipëri, kundërshtarët, si edhe grupin e lojtarëve të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë fazë finale.

Tekniku Italian nënvizoi se pjesëmarrja e Shqipërisë U-17 në finalet e këtij Europiani është një mundësi e madhe për skuadrën dhe futbollin shqiptar. Ai shprehu besimin se ekipi mund të sfidojë çdo kundërshtar të fortë, duke kërkuar të shfrytëzojë maksimalisht këtë eksperiencë historike.

“Fillimisht dua të them që jam shumë i lumtur që ekipi ynë është pjesë e finaleve të Europianit. Uroj që të jetë një eksperiencë e mirë për gjithë skuadrën, stafin dhe Federatën. Është hera e parë që ne jemi në finalet e një kompeticioni kaq të rëndësishëm. Objektivi ynë primar është që t’i japim kënaqësi tifozëve, atyre që do të na mbështesin dhe ndjekin. Gjithashtu, është e rëndësishme që të kemi një mjedis të mirë brenda skuadrës dhe, nga aspekti teknik, ajo që unë kërkoj është një lloj rritjeje e nivelit, njësoj si performancat e mira që kemi pasur nga shtatori deri në mars. Të kemi momente specifike brenda ndeshjes që tregojnë rritjen e ekipit. Ne kemi punuar shumë mirë dhe kemi pasur performanca të mira. Patjetër që jemi të lumtur që ky event organizohet në Shqipëri. Është një mundësi e jashtëzakonshme. Prej një kohe të gjatë po punojmë si në aspektin organizativ, ashtu edhe me lojtarët. Futbolli është i tillë; kur të jepet një mundësi e tillë, duhet ta jetosh. Ne jemi krenarë që jemi pjesë e kësaj eksperience. Sigurisht që kemi kundërshtarë të vështirë, përfshirë Portugalinë, që e ka fituar gjashtë herë Kampionatin Europian U-17 dhe ka një ekip shumë të mirë. Ne jemi gati dhe do të mundohemi të luajmë sa më mirë, ndërsa forcën tonë duhet ta tregojmë në fushë. Me lojtarët e rinj ke mundësi të krijosh surpriza, si për mirë, ashtu edhe për keq. Në futbollin e të rinjve nuk ka rëndësi rezultati; ajo që ka rëndësi është performanca dhe rritja e skuadrës. Ne synojmë të kemi paraqitje shumë të mira” tha mes të tjerash Tedesco.