Kupa e Shqipërisë/ Kukësi fiton dhe loton ndaj Teutës
Teuta u mund nga Kukësi me përmbysje në ndeshjen çerekfinale të kthimit në Kupën e Shqipërisë, por u kualifikua në fazën pasardhëse.
Durrsakët kishin fituar sfidën e parë në “Niko Dovana” me rezultatin 2-0. Sfida në “Kukës Arena” dhuroi emocione, ndërsa nisi me tensione. Verilindorët e gjetën veten në disavantazh pas 29 minutash lojë, kur Gruda realizoi për durrsakët pas një kundërsulmi të shpejtë.
Kukësi gjeti golin e barazimit në nisje të pjesës së dytë. Qirko priti goditjen e Xhonson, por jo të Rashitit që e futi topin në rrjetë.
Verilindorët e gjetën veten me 10 lojtarë, pasi Shqiprim Taipi u ndëshkua me karton të kuq 20 minuta nga fundi i kohës së rregullt. Por prapë, vendasit menduan për të sulmuar. Në të 83’, Kukësi fitoi penallti për një prekje të topit me dorë nga Jazxhi pas sinjalizimit të sistemit VAR.
Gjelbrim Taipi e fitoi duelin me portierin Qirko. Ekipi durrsak u tregua i kujdesshëm deri në përfundim të sfidës, duke festuar kualifikimin në gjysmëfinalen e kompeticionit.