Kupa e Shqipërisë është në fazën çerekfinale, teksa këtë të martë u zhvilluan dy ndeshjet e para. Me fillim në 13:30, Partizani fitoi 0-1 në Kukës. Në 17:00 në “Niko Dovana” të Durrësit, Teuta vendase barazoi 0-0 me Tiranën.
Në stadiumin e Kukësit, vendasit humbën 0-1 me Partizanin. Ndeshja e parë çerekfinale në Kupën e Shqiperisë foli për “Demat”, që ia bënë të hidhur debutimin në stolin e verilindorëve Bledar Devollit. Në 20 minutat e para të duelit, Partizani mori një goditje të madhe pas dëmtimit të Skukës dhe zëvendësimit të tij me Alfred Mensah. Goli i vetëm i përballjes u shënua nga Gjelbrim Taipi në të 43 minutë, me një aksion të rrjedhshëm. Kështu, të kuqtë e Orges Shehit marrin rezultat pozitiv në ndeshjen e parë dhe në 5 mars presin verilindorët në Tiranë me fitore, edhe pse minimale.
Në “Niko Dovana”, Teuta dhe Tirana barazuan 0-0 në ndeshjen e parë çerekfinale dhe kalimin për më tej do e mësojnë në përballjen e kthimit në kryeqytet, më 5 mars. Trajneri i ri i bardhebluve, Erbim Fagu debutoi kështu me barazim, teksa 36-vjeçari u zyrtarizua paraditen e kësaj të marte në stolin e 26-herë kampionëve të vendit.
Nesër në 13:30 luhen dy ndeshjet e radhës në Kupë. Vllaznia përballet me Erzenin në Rrogozhinë, ndërsa Laçi pret Egnatian.
Kupa e Shqipërisë, faza çerekfinale:
Ndeshjet e para
E martë:
13:30 Kukësi 0-1 Partizani
17:00 Teuta 0-0 Tirana
E mërkurë, 13:30
Erzeni – Vllaznia
Laçi – Egnatia