Kupa e Shqipërisë dhe UEFA mbushin xhepat e Egnatias

Për herë të parë Egnatia do të marrë pjesë në arenën ndërkombëtare, diçka që rrogozhinasit e arritën në dy fronte.

Skuadra e trajnerit Edlir Tetova e mbylli kampionatin në vendin e tretë, ndërsa me fitimin e Kupës së Shqipërisë, e nis aventurën në Conference League nga raundi i dytë. Një sukses që vlen shumë për Egnatian jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe ekonomik.

Rrogozhinasit përllogariten të përfitojnë rreth 300 mijë euro vetëm nga pjesëmarrja në kompeticionet Europiane, ndërsa kalimi i tureve sigurisht do të shtonte të ardhurat në arkat e tyre. Shifër që do të përdoret sigurisht në merkato, për të tentuar forcimin e grupit për të garuar më pas në disa fronte në sezonin e ri.

Egnatia do të jenë në vazon e ekipeve jo favorite. Në këtë mënyrë rrogozhinasit rrezikojnë që të përballen me Shkëndijën e Tetovës, Shkupin ose Dritën, skuadrat shqiptare nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Natyrisht shorti pritet t’i rezervojë një kundërshtarë të fortë jo vetëm për Egnatian por edhe për ekipet e tjera të Superligës. Tirana dhe Vllaznia do e nisin nga raundi i parë kualifikues për të tentuan kalimin e tureve.