Kulla 200-vjeçare në Krujë, trashëgimia ikonike e lënë në harresë
Kjo kullë ndodhet në qytetin e Krujës dhe i përket fisit Kuqi. Viti i ndërtimit nuk dihet me saktësi, por ata që e mirëmbajnë mendojnë se është ndërtuar mbi dy shekuj më parë.
Njëra nga dhomat ka shërbyer si dhomë pritjeje. Dy dhomat e vogla kanë qenë të vëllezërve, ndërsa një tjetër ka qenë e prindërve të Lirie Kuqit, një nga trashëgimtaret.
Ajo dhe bashkëshorti i saj, Xhevat Gjana, të dy mbi 80 vjeç, janë të vetmit që përpiqen të kujdesen për kullën, e cila mbart vlera të rralla historike dhe kulturore.
Në dy raste tërmetesh, kulla është dëmtuar seriozisht. Ndërtesa, dykatëshe dhe me shumë dhoma, dëshmon mënyrën e jetesës së një familjeje krutane më shumë se 200 vjet më parë. Xhevati tregon se familja Kuqi, e cila zotëronte këtë kullë, ka qenë e kamur, pasi merrej me tregti.
Kjo shtëpi ka shërbyer edhe si qendër tregtare. Fisi Kuqi ka qenë i njohur për angazhimin e tij në tregti. Kulla ka dhoma të veçanta për burrat, gratë dhe miqtë, dhe është ndërtuar mbi 200 vjet më parë.
Të veçanta janë pikturat e shumta të realizuara në muret e dhomës së pritjes. Përveç çiftit të të moshuarve, kulla pret shpesh mysafirë, kryesisht studentë dhe turistë vendas e të huaj.
Edhe pse me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore, ndërtesa nuk ka qenë në vëmendjen e institucioneve, të cilat, fatkeqësisht, e kanë lënë në harresë.
Megjithatë, kurrë nuk është vonë për të ruajtur gjurmët e së shkuarës. Çifti i bashkëshortëve nuk e ka humbur shpresën dhe u bëjnë thirrje institucioneve për ndërhyrje të menjëhershme, duke e konsideruar këtë kullë 200-vjeçare si një vlerë historike për qytetin e Krujës.