Kukësi ‘thyen’ Bylisin, afrohet me Kupat e Europës

Kukësi ka gjetur ritmin në Superligë.

Verilindorët shënuan fitoren e tretë radhazi në kampionat, teksa fituan pastër 2-0 ndaj Bylisit. Një sfidë e zgjidhur vetëm në pjesën e dytë, me skuadrën që iu përgjigj në mënyrën e duhur urdhërave të dhëna në dhomat e zhveshjeve nga trajneri Hallaçi. Rashiti zhbllokoi sfidën në minutën e 64. Ai përfitoi nga një goditje nga jashtë zonës e mbrojtësit Ndreca dhe shumë pranë vijës fatale mposhti portierin kundërshtar.

Një gol që rriti euforinë te Kukësi dhe goditi fort Bylisin, që nuk arriti të reagojë. Madje, 10 minuta para fundit të sfidës, Kukësi gjeti sërish rrjetën, me autor Gjelbrim Taipin. Kapiteni dërgoi në delir tifozët verior pas perfeksionit nga goditja e dënimit.

Gol për kartolinë që i jep suksesin e radhët Kukësit. Tashmë skuadra veriore ngjitet në mesin e artë të renditjes, në kuotën e 34 pikëve, duke u afruar me zonën Europiane. Ndërkaq, Bylis dështon sërish për të marrë pikë dhe mbetet në vendin e 9-të, pozicion që e dërgon një kategori më poshtë në rast se mbyllej tani sezoni.