KUKËSI RIKTHEHET TEK FITORJA, MBETEN NË ZONËN E FTOHTË

Pas dy javësh zhgënjim, Kukësi rikthehet tek 3 pikëshi në kampionat. Verilindorët kryen me përpikmëri detyrat e dhëna nga trajneri Hallaçi, duke përmbysur shifrat ndaj një kundërshtari si Egnatia. Edhe pse e pa vetën në disavantazh të një goli, Kukësi arriti që të fitojë me shifrat e 2-1. Në stadiumin “Arena Egnatia” rrogozhinasit kaluan në avantazh në minutën e 34 me autor Fernando. Braziliani shndërroi në gol një penallti, të ekzekutuar me mjeshtëri. Sulmuesi realizoi një panenka fantastike, duke kaluar në epërsi Egnatian, që e mbylli pjesën e parë në avantazh.

Fraksioni i dytë kishte një tjetër ritëm të verilindorëve, që arritën të barazonin me anë të Ndrecës. Mesfushori lëshoi një goditje nga hyrja e zonës dhe pas devijimit të topit nga mbrojtësi Malota tundi rrjetën.

Barazim që kapi në befasi Egnatian, i detyruar për të nxjerr topin sërish nga fundi i rrjetës. Mirza Delimexhaç lëshoi një goditje tokazi në kufinjtë e zonës së rreptësisë për të mposhtur portierin vendas.

Një gol tepër i bukur dhe që i dha 3 pikët Kukësit. Verilindorët tashmë numërojnë 19 pikë, sërish në zonën e rënies nga kategoria, por me shpresa për t’iu larguar në javët e ardhshme.