Kukësi përmbys Laçin, verilindorët zhysin në zonën e ftohtë kurbinasit

Për herë të parë pas shumë javësh, Kukësi largohet nga zona e ftohtë e renditjes.

Verilindorët shënuan fitoren e dytë radhazi në Superligë, këtë herë ndaj një rivali direkt për objektivat si Laçi. Ndaj kurbinasve, skuadra e Hallaçit ishte dukshëm më superiore, duke përmbysur dhe fituar me shifrat 2-1. Laçi ishte ajo që kaloi e para në epërsi, me autor Guindo.

Sulmuesi shfrytëzoi në maksimum një aksion model të Mazrekaj dhe me një goditje të fortë me të majtën tundi rrjetën. Gol që nuk kapi aspak në befasi Kukësin, që gjeti forcën për të reaguar dhe shënuar golin e barazimit. Në një aksion thuajse të ngjashëm, Ndreca gjeti në zonë Atdhe Rashitin, i cili e kishte fare të lehtë të shënonte për 1-1.

Rezultat që mbeti në fuqi deri në fundin e pjesës së parë, pasi në të dytën, Kukësi gjeti sërish rrugën drejt rrjetës.

Në zhvillimin e një goditje nga këndi, Ebert përfitoi nga një pakujdesi e Selmanit, me portierin që gaboi në kontrollin e topit, veprim që i kushtoi shumë skuadrës kurbinase.

Me këtë fitore, Kukësi ngjitet në kuotën e 31 pikëve në vendin e 7-të, ndërsa Laçi numëron 1 pikë më pak në të tetin, pozicion që aktualisht të dërgon në play-out e qëndrimit në Superiore.