Kukës, dy persona në kërkim për korrupsion në zgjedhje, SPAK dhe policia ushtrojnë kontrolle në banesa
Policia e Kukësit dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë ushtruar kontrolle në banesat e dy personave të dyshuar për korrupsion zgjedhor.
Dy shtetasit, G.P dhe K.P, janë shpallur në kërkim, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, që dyshohet se kanë marrë para për orientimin e votës ndaj një subjekti politik.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e posaçme për hetimin e krimeve zgjedhore në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kanë ushtruar kontrolle në banesat e shtetasve G.P dhe K.P, në kuadër të hetimeve për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal.
Policia e Kukësit ka shpallur në kërkim shtetasit G.P dhe K.P dhe po vijon punën intensive për kapjen e tyre. Strukturat hetimore të DVP Kukës nën drejtimin e SPAK po punojnë intensivisht për identifikimin e shtetasve të tjerë ndaj të cilëve ka dyshime se janë dhënë vlera monetare për orientimin e votës së tyre ndaj një subjekti politik.