Kujdes nga mesazhet mashtruese në WhatsApp/ Klikimi mbi linqet mund t’ju vjedhë të dhënat dhe kontrollin e pajisjes

Ekspertët e teknologjisë po paralajmërojnë përdoruesit e telefonave të kenë kujdes nga mesazhet mashtruese që mbërrijnë në WhatsApp apo platforma të tjera të komunikimit. Mesazhet që reklamojnë oferta, pako postare, fitime lotarie, apo shërbime të dyshimta, mund të jenë përpjekje për të hakeruar pajisjen tuaj.

Sipas ekspertit të IT, Erion Demiri klikimi mbi këto mesazhe mund t’i japë hakerëve akses të plotë në telefonin tuaj. “Pa e kuptuar, përdoruesit mund të autorizojnë faqe të dyshimta për të instaluar programe në pajisjen e tyre, të cilat pastaj mund të vjedhin të dhëna, të marrin në kontroll pajisjen dhe të dërgojnë mesazhe mashtruese në emrin e tyre,” thotë Demiri.

Cilat janë rreziqet më të zakonshme?

Hakerët shpesh synojnë:

•Vjedhjen e të dhënave personale dhe financiare, përfshirë numrat e kartave të kreditit.

•Marrjen e llogarive në WhatsApp apo rrjete sociale për qëllime reklamimi të paligjshëm.

•Instalimin e viruseve që monitorojnë aktivitetin tuaj online.

Së fundmi, mesazhe që reklamonin një kazino online janë përdorur për të hakeruar llogari në WhatsApp. Ndërsa WhatsApp është i lidhur me numrin tuaj personal të telefonit, çka e bën më të lehtë rikuperimin, sulmet mbeten të rrezikshme.

Si të mbroni llogaritë tuaja?

Për të shmangur rrezikun, është e rëndësishme të kontrolloni pajisjet ku është i lidhur WhatsApp-i juaj. Për ta bërë këtë:

1.Hyni te Settings në WhatsApp.

2.Shkoni te Linked Devices dhe verifikoni pajisjet e lidhura.

3.Nëse shihni pajisje të panjohura, bëni Log Out për t’i shkëputur nga llogaria juaj.

Origjina e sulmeve

Ekspertët besojnë se sulme të tilla shpesh organizohen nga individë të paguar në vendet e Azisë Lindore, si Bangladeshi dhe Pakistani.

Përdoruesit këshillohen të fshijnë menjëherë çdo mesazh të dyshimtë dhe të mos klikojnë mbi asnjë link të panjohur për të mbrojtur të dhënat e tyre personale dhe pajisjet.