“Ku shkon me këtë shpejtësi”, vrasësi i policit dëshmon si nisi sherri: E qëllova pas koke kur po hipte në makinë


Është zbardhur dëshmia e plotë të Azgan Mërnicës, i cili dyshohet si autori i vrasjes së efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenaliaj.

Ai ka treguar para oficerëve të policisë gjyqësore se si nisi konflikti me policin dhe mënyrën se si e ka qëlluar për vdekje. Sipas autorit, konflikti ka filluar për shpejtësinë më të cilën dy të rinjtë udhëtonin. “Kujtova se më shahu dhe u nxeha. Momenti që u kthye për të hipur në makinë, unë nxora pistoletën nga çanta dhe e qëllova te koka mbrapa.”, thuhet ndër të tjera në dëshminë e Mërnicës.

“Unë isha duke ikur me makinë nga qyteti në fshat, kisha marrë makinën e dajës dhe nënën do e çoja tek daja. Isha duke ecur shpejt dhe shkëmbehem me policin që shkonte nga fshati në qytet dhe për pak sa nuk u përplasa me të. Ai më bëri me shenjë ndalo. Unë zbrita nga makina. Zbriti dhe ai nga makina. Aty kemi bërë llafe. Ai më tha ku shkon ti me këtë shpejtësi more, dhe më ofendoi. Kur ai bëri me dorë unë kujtova se më shau dhe u nxeha. Momenti që u kthye për të hipur në makinë, unë nxora pistoletën nga çanta dhe e qëllova te koka mbrapa.

 

Shkova te daja dhe e lashë makinën atje. Pastaj kam ecur në këmbë nëpër fusha e disa kanale. Në kanale lëviza e qëndrova për 48 orë. Momentin që po më hahej bukë se kisha dy ditë pa bukë, shkova ke shtëpia e dajës. Këta ndërkohë kishin njoftuar policinë se kishin hall se mos më vriste RENEA. Aty erdhi policia dhe më mori, një polic, shefi krimeve të Fierit dhe më çoi në drejtori”, ka dëshmuar Azgan Mernica.