“Ku jemi këtu ne?! Akoma nuk regjistrohet marrja në pyetje!” – Rama kritikon ministrin Ulsi Manja për standardet e ulëta në drejtësi

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, për mosimplementimin e standardeve moderne në proceset e drejtësisë, duke theksuar se, përkundër fondeve të alokuara nga qeveria, institucionet e drejtësisë vazhdojnë të përdorin metoda të vjetra.

Rama u shpreh se, pavarësisht investimeve të shumta në drejtësi, organet e drejtësisë nuk kanë ende mjetet për të regjistruar intervistat e personave që marrin në pyetje.
“Kemi dhënë fonde që nuk janë parë kurrë për drejtësinë dhe këta nuk kanë akoma mjetet për të regjistruar intervistat,” tha ai, duke shtuar se procesi i marrjes në pyetje është shumë i prapambetur dhe jo në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“I mbajnë në pyetje për orë të tëra dhe në fund të japin një copë letër. Ata janë akoma me makinën e shkrimit,” theksoi Rama, duke kritikuar metodat e vjetra që përdoren për regjistrimin e procesverbaleve.

Ai shtoi gjithashtu se ka dy vjet që i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë të propozonte përdorimin e Inteligjencës Artificiale në Prokurorinë Speciale për të automatizuar dhe modernizuar proceset, siç po bëhet me shërbimet publike.

“Jo të rri me orë të tëra dhe t’i japin një letër, firmos këtu. Këto janë standarde, jo kërkesa personale,” theksoi ai.

Rama ka ngritur gjithashtu shqetësimin për pabarazinë që mund të krijohet mes personave të pyetur dhe prokurorëve, duke thënë se duhet të krijohen kushte të barabarta për të gjithë gjatë proceseve hetimore.