Ku ishte baza e grupit të drogës? Dumani: Në Durrës! Nuk japim të dhëna për të arrestuarit

Në një deklaratë për mediat nga konferenca e përbashkët me autoritetet italiane, kreu i SPAK, Altin Dumani, ka konfirmuar se qendra e grupit të fuqishëm kriminal që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës ishte në qytetin e Durrësit.

Ai theksoi se operacioni, i cili ka çuar në ekzekutimin e 52 masave sigurie në Shqipëri dhe Itali, është rezultat i një hetimi të gjatë dhe bashkëpunimi të ngushtë ndërkombëtar, por paralajmëroi se të dhënat personale për personat e arrestuar nuk do të bëhen publike.

Altin Dumani: Qendra e grupit ishte Durrësi. Nuk japim gjeneraliteti të personave që arrestohen. Ne nuk përmendim gjeneralitete dhe në këtë rast nuk bëjmë përjashtim. Nuk japim gjeneralitete për persona, masa për të cilët është ekzekutuar ose jo.

Dumani nënvizoi se SPAK vepron sipas një standardi të qartë ligjor dhe nuk devijon nga rregullat procedurale, duke mos ekspozuar identitetet e të ndaluarve, pavarësisht interesit të lartë publik. Ai e cilësoi operacionin si një goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar ndërkombëtar.