“Ku e ke Sky? S’e kam pasur kurrë” – Florenc Çapja mohon akuzat për vrasjen e babë e bir në Elbasan: Më keni dënuar vetëm nga dëshmia e të penduarit Bardhi!

Florenc Çapja para Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ka kundërshtuar akuzat për përfshirje në vrasjen e dyfishtë të babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, krim i ndodhur në gusht të vitit 2012 në Elbasan. Ai ka deklaruar se është dënuar padrejtësisht me burgim të përjetshëm vetëm mbi bazën e dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Ervis Bardhi.

“Ku e ke Sky? Unë s’e kam pasur kurrë. Më thoni pse e keni lënë dosjen pa asnjë veprim hetimor dhe më keni dënuar vetëm me dëshminë e Ervis Bardhit”, tha Çapja në seancë, duke hedhur poshtë çdo përfshirje të tij në këtë ngjarje.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Gentian Beqiri, i cili po vuante një masë “arrest shtëpie” për akuzën e vrasjes së Sokol Çapjas në vitin 2005, është vrarë me 7 plumba teksa qëndronte i shtrirë në krevat në banesën e tij. Më pas, u ekzekutua edhe babai i tij, Nezir Beqiri, i cili sipas hetimeve u mbyt me jastëk nga Olsi Leku, një tjetër i akuzuar në këtë dosje.

Vrasja ndodhi ndërkohë që jashtë banesës ishin të vendosur dy efektivë policie për ruajtje, të cilët më pas u hetuan për shpërdorim detyre.

Ervis Bardhi, që u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë, ka deklaruar se për këtë vrasje kishte marrë urdhër nga Çapjat dhe se Ardian Çapja i kishte premtuar 50 mijë euro për eliminimin e Gentian Beqirit. Ai pretendon se atentati u krye me ndihmën e Olsi Lekut, Etjen Canit dhe Klajdi Dokollit.

Sipas rrëfimit të Bardhit, grupi kishte planifikuar gjithçka me kujdes pavarësisht se viktima ruhej nga policia. Pas ekzekutimit, autorët janë larguar në drejtime të ndryshme dhe makina e përdorur për ngjarjen u dogj.

Ngjarja në fjalë tronditi opinionin publik, pasi viktimat ishin pjesë e një zinxhiri hakmarrjesh dhe përplasje të përgjakshme mes grupeve kriminale në Elbasan, që nisën pas vrasjes së Sokol Çapjas në vitin 2005.