Ndonëse ishte e paftuar dhe e pamirëpritur nga Kryetarja e këshillit kombëtar të integrimit Jorida Tabaku, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në shkollën e integrimit, për të cilën ishte kujdesur demokratja Tabaku që ta organizonte, me këtë të fundit që pohoi se Spiropali nuk kishte marrë asnjë ftesë për të qenë pjesë e panelit.
Edicioni i 9-të i Shkollës së Integrimit Europian nisi pa organizatoren e tij Jorida Tabakun si kryetare e Këshillit të Integrimit. Në mes të një klime të acaruar mes mazhorancës dhe opozitës, Elisa Spiropali si kryetare e Kuvendit kishte vendosur të prishte traditën, duke këmbëngulur që të vinte në aktivitet dhe të mbante fjalën hapëse.
“Përgëzoj punën e kryetares së këshillit kombëtar të integrimit, zonjës Tabaku. Punën që e ka bërë me pasion”, deklaroi Spiropali.
Me përfundimin e fjalimit Spiropali u largua dhe regjia e Kuvendit u kujdes të mbyllte transmetimin. Sinjali u rikthye kur në vend të socialistes Spiropali ishte ulur organizatorja, demokratja Tabaku, e cila e akuzoi kryeparlamentaren për vjedhje të takimit.
hkolla e Integrimit Europian zhvillohet çdo vjeshtë me përfaqësues të shoqërisë civile, administratës qendrore dhe vendore dhe kësaj here kishte edhe përfaqësues të biznesit. Ata përfshihen në një trajnim intensiv, duke marrë informacion mbi legjislacionin e BE dhe më pas mund të kontribuojnë me ekspertizën e tyre në përmbushjen e kritereve të vendosur nga unioni për vendin tonë.