“Krymi” trondit me deklaratën në GJKKO: Marrëveshja me Dritan Gjikën…ja pse ma vranë familjen!
I penduari i drejtësisë, Erjon Alibej, ka dhënë detaje tronditëse para autoriteteve mbi aktivitetet kriminale dhe tragjeditë që e goditën. Ai ka rrëfyer se kishte nisur një marrëveshje biznesi me Endritin dhe një shtetas turk, mik i familjes, që përfundoi në katastrofë.
“Unë dhe Endriti kishim nisur një marrëveshje biznesi. Me drogë normalisht, por s’kemi qenë të përzier kurrë me vrasje. Kishim njeriun më të rëndësishëm dhe u lidhëm me Dritan Gjikën. Endriti dhe shtetasi turk që u vra, kishim nisur një ngarkesë prej 530 kg kokainë për në Turqi. Kishim investuar gjithçka aty. Këta njerëz kishin përgjegjësinë e nxjerrjes nga porti i Mersinit. Ngarkesa u sekuestrua dhe nuk u arrit të nxirrej, sepse mu vra vëllai dhe turku miku ynë. Ngarkesa arriti rreth dy javë pas vrasjes. Kjo ka qenë për të na nxjerrë jashtë loje. Këtë interes e kanë pasur shumë. Më shkatërruan edhe nga ana ekonomike. Shkova deri për bukën e gojës, por unë e nxirrja veten sikur kisha shumë lekë ndërkohë s’kisha asgjë,” dëshmoi Alibej.
Ai shtoi se më pas ishte përpjekur të ngrihej nga e para në Angli: “Me dy shokë që kisha, lidha një punë në Angli. Kam punuar shumë me kokainë, u përmenda në të gjithë Londrën. Më dhanë mundësi pune atje. Gjithçka që fitoja, e shkriva. U merrja me sigurinë time dhe me planet. Nga shtëpia i bëja punët me telefon. Ka shumë njerëz që më kanë mbet miliona euro borxh. Është shpifje se Copjat thonë që u bë gol nga Endriti për 50 kg. Ata bënë shumë lekë me këtë ngjarje.”