Kryetarja e GJK: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme, jo opsionale – moszbatimi i tyre minon…
Në aktivitetin “Jurisprudenca në Kushtetuese” të mbajtur sot në Tiranë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, dha një mesazh të qartë dhe të fortë në lidhje me rëndësinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ato nuk janë këshilluese apo opsionale, por detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.
“Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese vë në diskutim Kushtetutën, cenon integritetin e ligjit dhe minon besimin e publikut në drejtësi,” – deklaroi Zaçaj.
Ajo theksoi se Gjykata Kushtetuese është jo vetëm interpretuesja e Kushtetutës, por edhe mbrojtësja e themeleve të demokracisë, duke shtuar se përpjekjet për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të saj rrezikojnë stabilitetin e qeverisjes demokratike.
“Kushtetutshmëria si mënyrë të qeni dhe të sjelluri është pasaporta jonë drejt Evropës së Bashkuar,” – u shpreh Zaçaj, duke lidhur drejtësinë kushtetuese me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Në fjalën e saj, Zaçaj nënvizoi se edhe vetë demokracia nuk mjafton pa respektimin e Kushtetutës, pasi shumica parlamentare mund të miratojë ligje që cenojnë të drejtat themelore nëse nuk ka kontroll kushtetues dhe një gjyqësor të pavarur.
“Drejtësia që nuk respekton parimet e Kushtetutës rrezikon të kthehet në një mjet pushteti dhe jo një mjet mbrojtjeje,” – theksoi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Ajo përfundoi duke theksuar se të drejtat dhe liritë themelore janë universale dhe nuk varen nga njohja e shtetit, ndaj çdo sistem drejtësie që nuk i respekton ato rrezikon të humbasë kredibilitetin, pavarësisht rezultateve që mund të arrijë.