Kryetari i PS në Lezhë denoncon kandidatin e PD Gjin Gjoni, Ermal Pacaj: Persona të armatosur kanë kërcënuar për rrëmbim….

Kryetari i Partisë Socialiste në Lezhë, Ermal Pacaj, njëherazi edhe kandidat në listat e mbyllura të PS-së për zgjedhjet e ardhshme, ka denoncuar publikisht kandidatin e Partisë Demokratike, Gjin Gjoni.

Sipas Pacajt, gjatë fushatës elektorale, Gjoni ka përhapur akuza të pabazuara ndaj drejtuesve të PS në zona të ndryshme, duke i akuzuar ata për blerje votash.

Pas paraqitjes në DVP Lezhë për depozitimin e denoncimit, Pacaj bëri me dije se do t’i drejtohen edhe zyrës së vëzhguesve të OSBE-së, për të informuar mbi situatën e tensionuar dhe për të kërkuar monitorim më të rreptë të procesit.

Ndërkohë, Pacaj referoi edhe një tjetër incident serioz, ku sipas tij persona të armatosur janë futur në ambientet e lokalit të babait të kandidates së PS për zonën, Klotilda Ndreca. Sipas deklarimeve, këta persona kanë kërcënuar familjarët me rrëmbim.

Burime nga Policia e Lezhes konfirmojnë se dy persona janë shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Dajç të Lezhës.