Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste po zhvillohet në selinë rozë, ndërsa drejtuesit politikë i kanë paraqitur kryeministrit Edi Rama propozime të reja për skuadrat e tyre elektorale. Këto propozime kanë pësuar ndryshime të rëndësishme krahasuar me ato të prezantuara të dielën.
Rama dëgjoi për herë të parë të dielën sugjerimet e drejtuesve politikë për listën e kandidatëve për deputetë, por gjatë ditës së sotme, përpara mbledhjes së Kryesisë, ai zhvilloi takime të veçanta me secilin prej tyre, ku iu komunikuan disa rregullime dhe ndryshime thelbësore.
Lista përfundimtare e kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit pritet të miratohet në mbledhjen e Kryesisë, pas shqyrtimit të këtyre propozimeve të fundit. Dokumenti final duhet të dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda mesnatës.