Kryeprokurori Olsian Çela raporton në Këshillin e Lartë të Prokurorisë
Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, që përbëjnë një ulje prej 5,2 % në krahasim me vitin 2022, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022 dhe 201 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 70 % në krahasim me vitin 2022. Janë mbartur 21011 procedime penale me një ulje prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 22,2 % në krahasim me vitin 2022.
Gjatë vitit 2023 janë përfunduar 23419 çështje që përbën ulje prej 9,41 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2022, prej të cilave: 41,21 % janë dërguar për gjykim, 25,76 % janë pushuar, 30,04 % janë pezulluar dhe 2,99 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.
Janë dërguar në gjykatë 9652 çështje me akuzë ndaj 11401 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2022 rezulton një ulje prej 12,13 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 11,87 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Raporti ndërmjet çështjeve dërguar në gjykatë dhe çështjeve të pushuara është 61,54 % me 38,46 %.
Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 janë dënuar 7254 të pandehur që krahasuar me vitin 2022 përbën ulje 31,22 % të numrit të pandehurve të dënuar, dhe për 199 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose për 2,67 %.
Siç u paraqit më lart, evidentohet se përgjithësisht ka tendencë në ulje të numrit të procedimeve të regjistruara. Vlerësojmë se në këtë ulje ka patur ndikim edhe Memorandumi i Bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe udhëzimi mbi zbatimin e nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale dhe trajtimin e referimeve të tjera që dukshëm nuk përmbajnë elementë të ndonjë vepre penale, në bazë të të cilave për vitin 2023 rezultojnë 4588 materiale.
Këto akte nënligjore, ashtu si dhe institutet e reja procedurale, urdhri penal dhe marrëveshja e fajësisë, synojnë të vijnë në ndihmë të prokurorëve për të ulur ngarkesën e panevojshme dhe për të mundësuar zgjidhje të shpejtë ligjore për çështje të një rrezikshmërie më të ulët. Megjithatë, këto institute siç vërehet nga shifrat më sipër, nuk rezultojnë të japin impaktin e duhur.