Kryepeshkopi Joan Pelushi meshon në Katedralen e Korçës pas fronëzimit

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joan Pelushi, ka kryer meshë sot në Katedralen e Korçës, aty ku ka shërbyer si mitropolit për 27 vite me radhë. Të pranishëm në meshë ishin besimtarë ortodoksë të shumtë nga juglindja e vendit, si dhe hierarkia ortodokse e Shqipërisë.

Kjo ishte mesha e parë në Katedralen e Korçës pas fronëzimit të Kryepeshkopit Joan. Gjatë fjalës së tij, ai nuk ka fshehur emocionet, duke falënderuar të gjithë klerikët e juglindjes që kanë shërbyer bashkë me të gjatë viteve.

Mitropolia e Korçës do të jetë nën mbikëqyrjen e Kryepeshkopit Joan Pelushi deri në zgjedhjen e mitropolitit të ri.