Gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastas Janullatos, është përkeqësuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit. Kryepeshkopi 95-vjeçar ndodhet i shtruar në spitalin “Evangelismos” në Athinë, ku i është nënshtruar një operacioni urgjent për shkak të një gjakderdhjeje gastrike.
Sipas burimeve nga spitali, Janullatos u transferua me urgjencë në njësinë e kujdesit intensiv, ku aktualisht është i intubuar dhe nën monitorimin e vazhdueshëm të mjekëve. Në një deklaratë të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, u konfirmua se gjendja e tij është rënduar papritur, duke kërkuar ndërhyrje mjekësore të specializuar.
Njoftimi i Kishës Ortodokse:
“Gjendja shëndetësore e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Shqipërisë, z. Anastas, ka pësuar një përkeqësim të menjëhershëm dhe ai është transferuar në njësinë e kujdesit intensiv, ku ndodhet i intubuar.”
Kryepeshkopi Anastas Janullatos u transferua nga Tirana në Athinë më 3 janar, përmes një avioni të Forcave Ajrore të Greqisë, pas përkeqësimit të shëndetit të tij. Më herët, më 30 dhjetor, ai ishte shtruar në një spital privat në Tiranë për shkak të simptomave të një virusi.
Anastas Janullatos është një figurë e rëndësishme për komunitetin ortodoks në Shqipëri dhe më gjerë, duke shërbyer si Kryepeshkop prej vitit 1992. Tani, bashkësia e Kishës Ortodokse dhe besimtarët janë në pritje të zhvillimeve të reja për gjendjen e tij shëndetësore, duke shpresuar për përmirësim.