Kryepeshkopi Anastas Janullatos del nga operacioni, si paraqitet gjendja shëndetësore e tij
Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, i është nënshtruar një operacioni të ndërlikuar në sistemin gastrointestinal pas gjakderdhjes gastrike që përkeqësoi gjendjen e tij shëndetësore.
Mjekët e spitalit “Evangelismos” në Athinë e përfunduan me sukses ndërhyrjen kirurgjikale, por gjendja e tij mbetet kritike për shkak të moshës së thyer dhe sfidave të mëparshme shëndetësore.
Fortlumturia e tij ndodhet i shtruar në repartin e kujdesit intensiv dhe është nën monitorim të vazhdueshëm nga një ekip specialistësh.
Kryepeshkopi 96-vjeçar u transferua në Athinë më 3 janar nga Tirana me një avion të Forcave Ajrore të Greqisë, pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.
Në fillim, diagnoza ishte një infeksion viral sezonal, por me kalimin e kohës situata u komplikua, duke sjellë nevojën për ndërhyrje emergjente. Në të kaluarën, Kryepeshkopi Janullatos ka pasur trajtime të tjera mjekësore në të njëjtin spital, ku është ndjekur nga një ekip mjekësh me përvojë.