Kryeparlamentarja Spiropali vizitoi Muzeun e Kongresit të Alfabetit në Manastir dhe Shtëpinë e Nënë Terezës në Shkup. Në Muzeun e Alfabetit, rrugës së mundimshme drejt shkrimit të gjuhës sonë të bukur e të shenjtë dhe Shtëpinë e Nënë Terezës, bijës më të shquar të kombit
Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, përveç takimeve zyrtare, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, vizitoi Muzeun e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir dhe Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, në Shkup.
Në Muzeun e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, Kryetarja Spiropali u prit nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi dhe personalitete të tjera shtetërore. “Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe është njëra prej ngjarjeve më madhore për historinë, kulturën, dhe identitetin tone. 51 foto dhe 58 dokumente flasin e na tregojnë rrugën e gjatë e të mundimshme drejt Alfabetit, drejt shkrimit të Shqipes, gjuhës sonë të bukur e të shenjtë, me alfabetin latin. Me vendim të qeverisë shqiptare, 22 nëntori, Dita e Kongresit të Manastirit, kremtohet në Shqipëri si Dita e Alfabetit Shqip.”, u shpreh gjatë vizitës Kryetarja Spiropali.
Gjatë vizitës në Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës në Shkup, Kryetarja Spiropali u prit nga Zëvendëskryeministri Arben Fetai, Zëvendësministri i Arsimit Lulëzim Aliu dhe Drejtori i Institutit të Albanologjisë Skënder Asani. “Nuk mund të vija në Shkup dhe të mos ndaloja për të vendosur një buqetë me lule në Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, shenjtores sonë, bijës më të shquar të kombit shqiptar që i përket të gjithë botës.”, u shpreh Kryetarja Spiropali.