Thyen dhe grabitën tabakinon në Tiranë, pranga 2 personave, procedohen 2 të tjerë

Policia e Tiranës ka zbardhur 2 vjedhje të kryera me thyerje në të njëjtën tabakino, dje dhe disa ditë më parë ndërsa ka identifikuar 4 autorët e dyshuar.

Në kuadër të operacionit policor janë vënë në pranga 2 prej tyre përkatësisht shtetasit E. S., 22 vjeç dhe A. A., 19 vjeç, dhe proceduar penalisht 2 të tjerë të mitur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

“Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Tabachino”, për zbardhjen e 2 rasteve të vjedhjes në një tabakino.

Si rezultat i operacionit janë identifikuar 4 autorët e dyshuar, shtetasit: E. S., 22 vjeç dhe A. A., 19 vjeç, të cilët janë kapur dhe vënë në pranga, dhe 2 shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, për të cilët ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datat 16.07.2025 dhe 30.06.2025, kanë vjedhur artikuj të ndryshëm me vlerë rreth 80 000 lekë, në tabakinon e shtetases B. K”, njofton policia.