Ashtu siç kishte premtuar edhe në fushatën zgjedhore banorët e Himarës kanë në dorë dokumentet e pronësisë për shtëpitë e trashëguara në zonat Kadastrale.
Kryeministri Edi Rama së bashku me kryebashkiakun Vangjel Tavo shpërndanë titujt ndërsa premtoi se procesi do të vijojë me dhënien e AMTP-ve, Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi.
“Me hipotekimin e të gjithë shtëpive të trashëguara ecim përpara me një ritëm tjetër të procesit të dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën, do të rrisim edhe më shumë energjinë e të gjithë territorit të bashkisë e të krijojmë premisa më të forta për të pasur një zhvillim gjithëpërfshirës….. Duke vijuar me dhënien e këtyre dokumenteve të shumëpritur të shtëpisë më lejoni t’ju garantoj se ashtu siç bëmë realitet së bashku me kryetarin e bashkisë përmbylljen e këtij procesi, do të bëjmë realitet përmbylljen e procesit të AMTP-ve
Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi dhe për projektet që do të transformojnë Himarën.
“Po diskutojmë për një projekt të madh për një parkim të madh nëntokësor tek fusha e sportit, ku do mund të akomodohen shumë mjete. Ndërkohë fusha do të jetë po aty mbi parkimin. Kemi në plan të bëjmë një ndërhyrje shumë të bukur në qendrën e Himarës, ku është çudi e madhe por që mund të bëhet një qendër shumë e bukur për të bërë që dhe brenda qyteti të jetë i vizitueshëm e të ketë më shumë ekonomi në kohën e sezonit turistik, gjë që sot është shumë e vështirë për vetë faktin se vetëm trafik ka e bllokime pasi qendra është jashtë cdo standardi e pamjeje për një qytet që ka marrë kaq shumë emër e tërheq shumë vizitorë.”, tha Rama, i cili paralajmëroi dhe ndërhyrje në qendër të Himarës.
Kemi dhe një sërë projektesh të tjera që prekin Borshin e pikat të tjera.
“Borshi ka nevojë për ndërhyrje. Është zona më pak e ndërhyrë në aspektin e investimeve publike. Jo për ndonjë arsye tjetër por sepse nuk kemi dashur të bëjmë rrugë që të shkatërrohen nga fluksi i ndërtimeve, sidomos pjesën poshtë ku po lind një tjetër gjeneratë turizmi në aspektin e infrastrukturës hoteliere e cilësisë që do të sjellë turistë që do të shpenzojnë më shumë, dhe më shumë të ardhura për zonën”
Rama nuk kurseu as batutat politike.
“Keni kapur Vangjelin e duhur, mos e lëshoni se po qe për punë një Vangjel ka kjo zonë, po qe për sherr është një Vangjel tjetër, por atë mbajeni larg’ tha Rama duke iu referuar Vangjel Dules së PBDNJ-së.