Kryeministri Rama bisedë telefonike me Zelensky, zbardhen detaje të diskutimit mes tyre

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Lajmi është bërë i ditur nga presidenti ukrainas, përmes një postimi në rrjete sociale ku ka zbardhur detaje edhe nga biseda.

Në njoftim thuhet se biseduan për iniciativat diplomatike evropiane dhe për paqen në Ukrainë, ku duhet të bëhet me pjesëmarrjen e Ukrainës.

“Kam pasur një bisedë të mirë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Falënderoj qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës dhe popullit tonë. Ne diskutuam shumë tema të spikatura – projekte të përbashkëta dhe perspektiva më të gjera.
Biseduam edhe për iniciativat diplomatike evropiane. Është thelbësore që Evropa të jetë në tryezën e bisedimeve. Gjithçka në lidhje me Evropën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Evropës, dhe gjithçka për Ukrainën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Ukrainës.
Një vizion i përbashkët dhe hapa të koordinuar janë thelbësore për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ne po punojmë së bashku për të forcuar sigurinë në të gjithë Evropën. Faleminderit për mbështetjen tuaj”, shkruan Zelensky.