Kryeministri Kurti nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se nga Kryeministria janë njoftuar se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet.

Një ditë më herët, Kurti kishte publikuar në rrjete sociale fotografi nga vizita e tij në Slloveni.

Katër ditë më parë, burime të Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale e kishin konfirmuar se Kurti është ftuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e implikuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.

Në gusht të vitit të kaluar, disa persona ishin arresuar nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punëonjës të MINT-it.

Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, si dhe rezervat e grurit, nuk kishin arritur kurrë.

Hajdari kishte thënë në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.

Kurti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

Pas ftesës për intervistim në Prokurorinë Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore, Hajdari ishte mbrojtur në heshtje në paraqitjen e saj para prokurorve.

Kosova nisi mbledhjen e këtyre rezervave nga viti 2012. Ato sigurohen me buxhet të shtetit, por edhe nga mallrat që konfiskohen për shkak të veprave kundërvajtëse dhe kalojnë në pronësi të shtetit.