Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ndez debatin: Taksë për beqarët si zgjidhje ndaj krizës demografike
Në një deklaratë që ka ngjallur debat të gjerë në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Hristijan Mickoski ka propozuar vendosjen e një takse shtesë për personat e pamartuar, si pjesë e një pakete masash për të përballuar krizën e thellë demografike që ka përfshirë vendin vitet e fundit.
Mickoski paralajmëroi se norma e lindjeve ka rënë ndjeshëm, ndërsa vdekjet kanë tejkaluar ndjeshëm lindjet në vitin 2024. Sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar vetëm 16.061 lindje, ndërkohë që vdekjet kanë arritur në 20.201, duke shkaktuar një tkurrje natyrore të popullsisë me mbi 4 mijë banorë në vetëm një vit.
“Vetëm në katër vitet e fundit, Maqedonia e Veriut ka humbur mbi 33 mijë banorë,” theksoi Mickoski. “Në shumë zona të vendit nuk ka më as klasë të parë. Kjo është një thirrje alarmi.”
Kryeministri vuri në dukje se norma e lindjeve ka rënë nga 12.5% në vitin 2010 në vetëm 8.8% në vitin 2024, duke ngritur shqetësime për plakjen e popullsisë dhe rënien e fuqisë punëtore.
Ai tha se vendi duhet të ndërtojë një politikë të qartë për nxitjen e familjeve dhe mbështetjen e të rinjve, duke paralajmëruar se mungesa e veprimit do të sjellë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.
“Duhet të ndërtojmë institucione që jo vetëm ruajnë por edhe zhvillojnë potencialin rinor,” deklaroi ai.
Mickoski theksoi se ky është një problem që prek jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por të gjithë kontinentin evropian, duke përmendur sfidat e ngjashme të vendeve si Italia, Gjermania dhe Bullgaria.
Propozimi për një taksë për beqarët ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe politik. Kritikët e kanë quajtur masën diskriminuese dhe ndërhyrje në jetën private të qytetarëve, ndërsa mbështetësit e shohin si një mënyrë për të nxitur krijimin e familjeve në një vend që po përballet me shpopullim dhe emigracion masiv.