Emri/ Kultivoi kanabis në serë, arrestohet 28-vjeçari në Krujë, ishte shpallur në kërkim për …

Një 28-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme  pasi kishte kultivuar bimë narkotike në një serë në Thumanë ndërsa ishte shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje. Sipas policisë shtetasi Florjan Aliu 28 vjeç u kap në flagrancë teksa po kujdesej për bimët narkotike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

 

Njoftimi i policisë:

Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e Krujës, në kuadër të megaoperacionit kombëtar anticannabis të koduar “Koordinata”. Goditet 1 rast i kultivimit të bimëve narkotike, në Thumanë.

Kapet në flagrancë në serën ku kishte kultivuar bimët narkotike dhe vihet në pranga 28-vjeçari. Ky shtetas ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje.

Në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, gjatë kontrollit të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur dronë, kanë konstatuar në fshatin Thumanë, një serë në të cilën ishin kultivuar bimë narkotike kanabis.

Shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë vënë në pranga autorin e dyshuar të rastit, shtetasin F. A., 28 vjeç, banues në Thumanë, të cilin e kapë në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike. Bimët u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Gjithashtu, 28-vjeçari ishte në kërkim pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.