Kriza ekonomike dhe varfëria “rrudhin” festat në Shqipëri

Nga: Elda Voshi

Dhjetori, muaji më i priviligjuar i vitit, muaji i shpresës…

Aty ku ndizen dritat dhe të ngrohet shpirti pavarsisht netëve të ftohta dhe të fundit të vitit, Aty ku papritmas e gjen veten në një vorbull mendimesh dhe dilemash. Aty ku të duhet të zgjohesh herët dhe pas rutinës së mëngjesit duhet të dalësh për të blerë disa gjëra që duhen dhe jo rrallë herë të gumëzhojnë në vesh pyetjet: Ta blesh apo mos ta blesh?

Një pyetje kjo që të dhemb kur e dëgjon sidomos në ushqimoret e vogla të lagjes. Të dhemb kur shikon kryefamiljarin që vëzhgon me aq kujdes dhe i mendueshëm listën e gjatë të ushqimeve, pasi rroga e tij mujore si një hendek përballë fasadës së çmimeve katastrofike, të dhemb kur ai shkëlqimi në sytë e fëmijëve vezullon nga lotët që rroken nëpër faqe pasi dëshirat e tyre nuk realizohen dhe nuk iu mbetet gjë tjetë veç të dalin me duart bosh nga qendrat tregtare. Akoma më therëse kur një i moshuar me zërin që i dridhet thotë: “Kështu krize nuk ka pasur, si që është tani, s’ka qenë kurrë”.Mosha e tretë që gënjehen me një shpërblim qesharak që nuk përmbush asgjë.

Një paradoks i gjallë!

Festat luminoze me luksin e rrjeteve sociale dhe xhepat e zbrazura të shqiptarëve përballë çmimeve katastrofike si çdo fundvit tjetër.

Sa të bukura festat!

Shpirti edhe pse i zhveshur nga shpresa e vyer e së ardhmes, përsëri ndriçon më shumë se dritat dekoruese anembanë vendit….