Kritikat për Butrintin, Rama ironizon opozitën: Na kanë vënë pas një kanarinë që na këndon sa herë na sheh

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar akuzat e opozitës lidhur me koncesionin e parkut të Butrintit, duke i cilësuar ato si shpifje. Gjatë një aktiviteti për prezantimin e platformës inovative “Plug and Play” në Tiranë, Rama tha me tone sarkastike se sipas opozitës, qeveria ka përfituar shumë para nga Butrinti dhe nuk di ku t’i çojë.

“Nëse shikoni në internet Parkun Arkeologjik, Amfiteatrin e Butrintit, mos u nisni atje, se atje nuk ka gjë. Gjithçka është marrë dhe është çuar diku. Dhe falë këtij fakti, kemi përfituar shumë para që nuk dimë ku t’i çojmë, ndaj i hedhim kot për këto lodrat ‘Plug and Play’ dhe të tjerat,” tha Rama, duke ironizuar akuzat e kundërshtarëve politikë.

Kryeministri shtoi me ironi se qeveria dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë konsideruar si “pjesë e një grupi kriminal që ka bërë grabitjen e Butrintit”. Ai vijoi më tej duke thënë se opozita e sulmon për çdo projekt dhe se “na kanë vënë pas një kanarinë që na këndon sa herë na sheh”.

Në fjalën e tij, Rama foli edhe për transformimin dixhital dhe projektet inovative të qeverisë. Ai njoftoi hapjen e “Durana Tech Park” mes Tiranës dhe Durrësit, si dhe “Vlora Tech Space”, që synojnë të tërheqin startup-e dhe kompani teknologjike nga rajoni dhe më gjerë.

Gjithashtu, ai tha se në dy vitet e ardhshme, të gjitha shkollat do të pajisen me Laboratorë Smart, ndërsa qendra TUMO do të zgjerohet në Shkodër dhe Elbasan.

Platforma “Plug and Play”, e cila tashmë ka mbërritur edhe në Shqipëri, është një rrjet global që mbështet startup-et, duke ofruar investime dhe mundësi zgjerimi në tregjet ndërkombëtare. Programi ka më shumë se 550 partnerë dhe ka investuar në mbi 2000 kompani në mbarë botën.