Sa herë që një i/e mitur apo i/e re, qoftë ai/ajo një viktimë, dëshmitar apo autor i veprës penale përballet me sistemin e drejtësisë, është shumë e rëndësishme që i gjithë zinxhiri institucional të zbatojë procedurat e përshkruara mirë, jo vetëm për gjykimin e tyre, por mbi të gjitha për rehabilitimin dhe riintegrimin e këtyre të miturve apo të rinjve në shoqëri.
Të gjithë profesionistët e këtij zinxhiri duhet të angazhohen dhe të punojnë së bashku për t’i ndihmuar këta të mitur dhe të rinj, duke u krijuar mundësi më të mira dhe duke i orientuar ata drejt shkollimit, edukimit, përfitimit të aftësive profesionale, kulturës, artit, sporteve dhe zhvillimit të talenteve individuale, që deri më tani rezultojnë të jenë “kundërhelmi” më i mirë ndaj recidivizmit (rikthimit në krim).
Por këto arritje pozitive realizohen vetëm kur një i/e mitur apo i/e ri/e në kontakt apo konflikt me ligjin vë re që profesionistët e përfshirë në sistemin e drejtësisë e trajtojnë atë me respekt, i njohin dëmin që i është shkaktuar dhe kërkojnë zgjidhjen më të mirë të mundshme për ta kthyer këtë individ në rrugën e një zhvillimi të harmonishëm.
Gjatë trajtimit të rasteve, është e lehtë të kuptosh vështirësitë që hasin profesionistët, sfidat, por mbi të gjitha edhe kënaqësinë që marrin kur një i mitur rehabilitohet dhe riintegrohet në shoqëri.
E megjithatë, përballë historive të ndryshme, është e pashmangshme të mos ngrihen pyetje, të cilat kanë nevojë për një reflektim jo vetëm profesional, por edhe njerëzor për të marrë përgjigjet e duhura. Ndëshkim për fëmijën, apo rehabilitim në komunitetin e tij? E fitojmë apo e humbasim një të ri, i cili për një arsye apo një tjetër ka rënë në kontakt me ligjin, nëse e trajtojmë atë si një kriminel? A duhet të vazhdojmë të luftojmë pasojën apo duhet të përqendrohemi te shkaku? A mos duhet që shoqëria të marrë një rol tjetër veç atij të spektatorit në këto raste?
Këto janë pak nga pyetjet, me të cilat punonjësit e drejtësisë penale për të mitur ndeshen çdo ditë dhe duhet t’u japin një përgjigje. Shpeshherë është e pamundur që historitë dhe arsyet që fshihen pas rasteve të mos mbeten në mendje dhe të mos shërbejnë si kambanë reflektimi për rolin e profesionistëve, por mbi të gjitha për rolin e secilit prej nesh si qytetarë të kësaj shoqërie. Sepse çdo qytetar i çdo epoke, mbart përgjegjësi të njëjta sociale për çdo ngjarje të epokës.
Në këtë rast kriminaliteti tek të miturit nuk është produkt i vendit tonë apo rajoneve specifike dhe as edhe vetëm i disa gjeneratave të caktuara. Ai njihet prej shekujsh e dekadash dhe është i përhapur kudo në botë, madje edhe në shtete ku standardet e zhvillimi, kultura dhe qytetërimi nuk do të mund t’i pranonin. Ai është kthyer gjatë evolimit të shoqërisë në një realitet të pamohueshëm, me të cilin duhet të përballen të gjithë, që nga shteti me të gjitha strukturat e veta kompetente, shoqëria, familja, shkolla, përfshirë edhe institucionet e arsimit të lartë, ato të kërkimit shkencor.
Përveç kësaj, angazhimi i vetë të miturve është i rëndësishëm për të siguruar që ata të vazhdojnë të ndjekin programet dhe të jenë të vendosur për të arritur synimet e tyre. Kjo mund të përfshijë përdorimin e metodave të ndryshme të mësimit, si dhe sigurimin e mbështetjes së nevojshme për secilin prej tyre. Ndërkaq, ndjekja e progresit të të miturve është gjithashtu e rëndësishme, sepse lejon identifikimin e problemeve ose sfidave që mund të hasen në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit, dhe të ndërmerren hapa për t’i adresuar ato në kohë.
Suksesi i programeve parandaluese, rehabilituese dhe riintegruese për të miturit varet nga shumë faktorë, por këto katër çështje – motivimi, përgatitja, angazhimi dhe ndjekja e progresit – janë të rëndësishme për të siguruar që programet të jenw sa më të suksesshme dhe të ofrojnë ndihmën e nevojshme për të miturit për të ndryshuar sjelljen e tyre dhe të përfshihen në shoqëri në mënyrë pozitive.
Eksperte për Kriminologjinë dhe Bullizmin Online
Klaudia Hasanllari