“Krimi po përfiton nga fushata!”/ Gazetarja: Administrata e pakënaqur, por voton nga presioni i humbjes së punës
Gazetarja Aida Topalli, e ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në SYRI TV me moderatorin Flavio Qarri, foli për situatën e sigurisë publike gjatë fushatës zgjedhore. Ajo theksoi se këtë vit vëmendja e institucioneve është përqendruar vetëm te krimet dhe situata zgjedhore, duke lënë pas dore rendin dhe sigurinë publike.
Sipas Topallit, si pasojë është krijuar një shthurje që ka nxitur botën e krimit të veprojë lirshëm. Ajo shtoi se qytetarët ndihen të frikësuar, veçanërisht ata që punojnë në administratë. Topalli deklaroi se shumë prej tyre janë të pakënaqur me qeverinë, por detyrohen të votojnë majtas nga frika e humbjes së vendit të punës. Ajo vuri në dukje se verifikimi i listave votuese është kthyer në mjet presioni ndaj administratës.
“Si përpara edhe përgjatë çdo fushate zgjedhore, patjetër që vëmendja e institucioneve, sidomos këtë vit ka shkuar vetëm te krimet zgjedhore, te situata zgjedhore dhe duket sikur është harruar pak rendi dhe siguria publike dhe për pasojë ka edhe një shthurje.
Bota e krimit është e prirur që në momentin që vëmendja e institucioneve humbet dhe përqendrohet në vende të tjera, të vazhdojë dhe të prodhojë ngjarje kriminale duke mbyllur ato hesape që mund t’ju kenë mbetur pa larë.Njerëzit vazhdojnë të jenë të frikësuar, sidomos ata që janë pjesë e administratës, detyrimisht do të shkojnë e do të votojnë majtas sepse kanë frikë. E duan s’e duan, se ne kemi dëgjuar plot nga administrata që janë të pakënaqur, dhe janë ata të pakënaqurit më të mëdhenj me partinë në pushtet por prapë janë po ata të cilët shkojnë dhe e votojnë në fund të ditës sepse kanë listat, i verifikojnë, dhe pastaj nëse nuk e votojnë do të humbasin vendin e punës.” tha Topalli.