Krimi në Has, autori paralajmëroi vrasjen në Facebook: E hoqa qafe për t’i dhënë një mësim, kanë vënë rrugaçë…

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi sot fshatin Plan në Has, ku Ylber Jaku qëlloi për vdekje 34-vjeçarin Ryshyt Sallahu. Përpara se të kryente krimin, Jaku kishte paralajmëruar aktin në rrjetet sociale, duke lënë një mesazh të qartë për motivet e tij.

Jaku, i cili ishte kthyer nga Britania e Madhe vetëm një ditë më parë, publikoi një foto në Facebook ku shkruante se kishte vepruar për të mbrojtur nderin e familjes së tij, që sipas tij, ishte sulmuar nga persona të nxitur nga shërbimet sekrete shqiptare.

Në postimin e tij, Jaku shkruan:

“Shërbimet sekrete shqiptare kanë vënë rrugaçë për të fyer anëtarët e familjes time. Më duhej të hiqja qafe njërin prej tyre për t’u dhënë një mësim të tjerëve që prisnin në radhë për të treguar forcën e tyre me mua dhe familjen time.”

Ngjarja ndodhi sot rreth mesditës, kur Jaku, 41 vjeç, e zuri në pritë viktimën pranë banesës së tij dhe e qëlloi 8 herë me armë gjahu, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktima, që ndodhej në makinën e tij në momentin e sulmit, humbi kontrollin dhe u përplas me një kanal anësor të rrugës.

Sipas banorëve të zonës, konflikti mes familjes Jaku dhe familjes Sallahu kishte nisur për çështje pronësie dhe kishte zgjatur për më shumë se 20 vite, për shkak të pretendimeve mbi një rrugë që kalonte në tokat e tyre.

Vetëm një ditë më parë, motra 21-vjeçare e viktimës, Artiola Sallahu, kishte dhunuar prindërit e Jakut, duke shkaktuar tension mes familjeve. Pas këtij incidenti, Artiola u arrestua nga policia, ndërsa sot ndodhet në paraburgim.

Autori, i njohur për përkushtimin e tij ndaj fesë islame, në mesazhin e tij përdorte fjalën “Bismilah” dhe përmendte krijuesin e botëve si më të madhin, duke lënë të kuptohet se aktin e tij e shihte si një formë drejtësie të vetëvendosur.

Policia arrestoi menjëherë Ylber Jakun pas ngjarjes dhe sekuestroi armën e krimit. Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.