Krimi makabër i 8 viteve më parë! Apeli prish dënimet për Marjeta Karajn, Besmir Karajn dhe bashkëpunëtorin për vrasjen e Menduh Kurtdedës

Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka prishur vendimin e Gjykatës së Tiranës që kishte dënuar me burg Marjeta Karajn, djalin e saj Besmir Karajn dhe bashkëpunëtorin e tyre, Gazmir Ngotën, të cilët akuzoheshin për vrasjen makabre të Menduh Kurtdedës në vitin 2017.

Vendimi u prish pasi, sipas Apelit, Gjykata e Shkallës së Parë kishte rënduar pa arsye akuzën ndaj të pandehurve.

Çështja do të rigjykohet në Shkallë të Parë me një trupë gjykuese të re.

Dënimet e para nga Gjykata e Tiranës:

-Marjeta Karaj – 22 vite burg

-Besmir Karaj – 25 vite burg (aktualisht i shpallur në kërkim ndërkombëtar)

-Gazmir Ngota – 22 vite burg

Historia e krimit

Prokuroria e Tiranës, bazuar në hetimet, ka zbuluar se Marjeta Karaj, e punësuar si sekretare në një organizatë joqeveritare, kishte një konflikt të vazhdueshëm me 61-vjeçarin Menduh Kurtdedën lidhur me financimin dhe menaxhimin e fondeve të shoqatës.

Në vitin 2017, djali i saj, Besmir Karaj, dhe miku i tij, Gazmir Ngota, me kërkesë të Marjetës, morën në makinë viktimën dhe e transportuan në zonën Kodër Shupal, ku e lidhën dhe ushtruan presion për kthimin e një borxhi që pretendonte Marjeta. Në momentin që Kurtdeda mohoi borxhin, ata i vunë flakën me benzinë, duke e djegur për së gjalli.

Kufoma e tij u gjet më 16 maj 2017 në Kodër Shupal, Zall-Bastar, Tiranë.

Dëshmia horror e Gazmir Ngotës

Gazmir Ngota, i akuzuari që pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, ka treguar detaje tronditëse nga ngjarja. Ai rrëfeu se urdhrin për vrasjen e Kurtdedës e kishte dhënë vetë Marjeta Karaj, ish e dashura e viktimës, e cila pretendonte se Kurtdeda i kishte borxh për vdekjen e vëllait të saj.

Në natën e krimit, viktima, i dehur, mohoi borxhin dhe u sulmua fizikisht nga Marjeta dhe djali i saj. Ngota tregoi se Menduh Kurtdeda ishte lidhur me zinxhirë dhe i ishte vënë flaka duke rënkuar nga dhuna, ndërsa ata largoheshin nga vendi i ngjarjes. Kjo dëshmi shfaqte mizorinë e krimit dhe përfshirjen direkte të familjarëve.

Zbulimi i krimit dhe reagimet e familjes

Ngjarja u zbulua në dhjetor 2022, pasi hetimet dhe rrëfimet e të akuzuarve sollën në dritë vrasjen makabre.

Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur”, bashkëshorti i Marjeta Karajt mohoi çdo përfshirje të saj dhe të djalit në ngjarjen kriminale. Ai deklaroi se marrëdhëniet në familje ishin normale dhe se nuk kishte pasur asnjë konflikt që do të justifikonte një veprim të tillë.

Spiro Karaj shtoi se gruaja dhe djali i tij nuk kanë lidhje me vrasjen dhe mohoi zërat për fëmijë të paligjshëm apo probleme familjare.

Dëshmia e plotë e Gazmir Ngotës dhe ngjarjet

Nga dëshmia e tij rezulton se Besmir Karaj dhe ai kishin një marrëdhënie shoqërore dhe se në mbrëmjen e krimit ishin bashkë kur morën Menduhun. Ata e lidhën dhe e transportuan në një vend të izoluar, ku Marjeta iu drejtua viktimës me akuza për borxhe, ndërsa Besmir e sulmoi fizikisht. Në fund, me urdhër të nënës, ata i vunë flakën për së gjalli.

Ngota tregoi gjithashtu se kishte pasur pendesë dhe se kishte ndjerë ankth të madh për atë që kishte ndodhur, madje kishte menduar të dorëzohej vetë në polici, por frika për fëmijët e tij e kishte penguar.