Detaje të reja dalin nga krimi i rëndë në familjen Gjoni, ku pas marrjes në pyetje të familjarëve të viktimës dhe autorit të vrasjes, Hekuran Gjoni, është zbardhur edhe dinamika, si edhe motivi i ngjarjes.
“Mollë sherri” për vrasjen e 41-vjeçarit, baba i dy fëmijëve, ka qenë e motra, e cila ka kërkuar pronësinë e banesës ku jetonte i ati.
Familja Gjoni jetonte prej shumë vitesh në një banesë tre katëshe private në zonën e Kodrës së Priftit.
Hekuran Gjoni, babai i tre djemve dhe dy vajzave, pasi i kishte martuar të gjithë fëmijët, e kishte ndarë shtëpinë duke ia dhënë me akt dhurimi çdo kat secilit prej tre djemve të tij.
Katin e parë ia kishte dhuruar djalit të tij Asimit dhe dy katet më lart dy djemve të tjerë, por kati i parë ishte i ndarë në dy hyrje, në një jetonte Asimi me gruan dhe dy fëmijët e tij dhe në gjysmën tjetër babai dhe nëna e tij, pjesë të cilën do ta trashëgonte Asimi.
Sa i përket dinamikës së krimit ditën e ngjarjes, në banesë kanë qenë 4 persona, autori Hekurani, nëna e Asimit, motra e tij dhe viktima. Ndërsa gruaja e Asimit dhe dy fëmijët e tij nuk kanë qenë në banesë ditën e ngjarjes. Asimi sapo ishte kthyer nga puna pasi punonte në ndërtim dhe kishte shkuar te prindërit për t’i përshëndetur dhe aty ka gjetur dy prindërit dhe motrën e tij duke ngrënë bukë.
Fillimisht u tha që autori dhe viktima ishin të dehur në bazë të dëshmisë së motrës së viktimës e cila nuk ka treguar të vërtetën dhe ka tentuar të fshehë shkakun e ngjarjes, por rezultoi që viktima nuk ka qenë i dehur dhe nuk konsumonte alkool dhe ishte një njeri i qetë dhe punëtor që mbante familjen më punën në ndërtim.
Ndërsa motra e vogël e Asimit e cila kërkonte edhe pjesë shtëpie ditën e ngjarjes ka mbetur e lënduar, ku ka marrë edhe mjekim në spital dhe më pas është larguar dhe nuk është kthyer më as në banesë, madje nuk ka shkuar as në varrimin e vëllait të saj.
Viktima 41-vjeçari Asim Gjoni kishte filluar që në moshë të vogël të punonte për të ndihmuar familjen që të ndërtonin shtëpinë dhe kishte bërë disa punë dhe së fundmi punonte në ndërtim për të mbajtur familjen.
Sipas dëshmive të familjarëve dhe të afërmve Asimi nuk ishte njeri konfliktual dhe gjithmonë mundohej të ndihmonte familjen.