“Krimi i fshehur”/ Raporti i DASH: Shqipëria përparon, por rrjetet kriminale po sofistikohen!

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve, ku evidenton përparimet e Shqipërisë në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, por thekson edhe sfidat e vazhdueshme me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Sipas raportit, Shqipëria po heton dhe ndjek penalisht korrupsionin në nivele të larta, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zgjeruar hetimet dhe arrestimet e efektivëve të përfshirë në shpërdorime dhe korrupsion. Megjithatë, theksohet se zbatimi i ligjit mbetet i dobët dhe sfidat në parandalimin e korrupsionit janë ende të mëdha.

Krimi i organizuar shqiptar dhe rrjetet ndërkombëtare

Raporti nënvizon se grupet kriminale shqiptare luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë. Këto rrjete veprojnë në Ballkan, Bashkimin Evropian, SHBA, Kanada, Amerikën e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqi, duke përdorur metoda gjithnjë e më të sofistikuara të trafikimit dhe pastrimit të parave.

Krimi i organizuar në Shqipëri lidhet shpesh me dhunën dhe vrasjet, ndërsa politikanë, prokurorë, gjyqtarë, gazetarë dhe aktivistë janë subjekt i frikësimit nga grupet kriminale.

SPAK dhe operacionet kundër krimit të organizuar

Në vitin 2024, SPAK dhe Policia e Shtetit bashkëpunuan me Europol dhe Eurojust për të shkatërruar disa organizata kriminale të trafikut të drogës. Një nga operacionet më të mëdha çoi në arrestimin e 66 personave dhe sekuestrimin e 360 kg kokainë, 4.3 milionë dollarë para të thata dhe asete me vlerë 65 milionë dollarë.

Një tjetër operacion në 2024 çoi në shkatërrimin e shtatë grupeve kriminale, sekuestrimin e 4.8 milionë dollarëve, armëve dhe aseteve të tjera, si dhe arrestimin e 20 personave për akuza të rënda, përfshirë vrasje dhe trafik droge.

Pastrimi i parave dhe dobësitë ligjore

Sipas raportit, krimi i organizuar shqiptar përdor ekonominë e vendit, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar para. Mungesat në zbatimin e rregulloreve AML (kundër pastrimit të parave) dhe kontrolli i dobët i aktiviteteve si lojërat e fatit rrezikojnë të lehtësojnë pastrimin e parave.

SPAK ka rritur përpjekjet për sekuestrimin e aseteve të fituara nga aktivitetet kriminale, përfshirë pronat, automjetet dhe llogaritë bankare. Në vitin 2023, u sekuestruan asete me vlerë 43 milionë dollarë, ndërsa në 2024, operacionet u intensifikuan më tej.

SHBA rekomandon masa shtesë

Raporti këshillon që Shqipëria të vazhdojë forcimin e zbatimit të ligjit, të përmirësojë mbikëqyrjen financiare dhe të luftojë ndikimin e krimit të organizuar në qeveri dhe shoqëri.

Ndihma e SHBA-së përfshin mbështetje për SPAK, trajnime për agjencitë e ligjzbatimit dhe asistencë teknike për përmirësimin e hetimeve dhe ndëshkimin e korrupsionit.