“Krimi është sofistikuar”, Dumani: Krijohen mekanizma që paratë të përfundojnë te zyrtari i korruptuar, e kemi nga hetimet konkrete
Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit vjetor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, deklaroi se krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri kanë arritur një nivel të lartë sofistikimi.
Ai theksoi se rrallëherë ndodhin më pagesa të drejtpërdrejta ndërmjet dhënësit dhe marrësit të ryshfetit, pasi tashmë përdoren mekanizma të ndërlikuar, përfshirë persona juridikë dhe transaksione të shumta, me qëllim që të fshihen gjurmët dhe në fund paratë të përfundojnë në xhepin e zyrtarit të korruptuar.
Dumani: Edhe krimi është novator. Ka ikur koha, të rralla janë rastet ku është komunikimi i drejtpërdrejtë mes atij që jep dhe atij që merr. Të përfundojë paraja në xhepin e subjektit, krijohen disa mekanizma, disa persona juridikë, transaksione, për të humbur gjurmët. Pas një procesi paraja përfundon tek autori i veprës penale, tek zyrtari publik. E kemi nga hetimet konkrete. Por mekanizmat ligjorë ekzistojnë. Për të evituar këto mekanizma, subjektet janë më të sofistikuar.