Krim dhe mos-ndëshkim në Fier! Si i fituan ‘të fortët’ betejat me drejtësinë
Si “të fortët” e Fierit i fituan betejat me drejtësinë, duke rrëzuar akuzat për vrasje e për krime të tjera, shmangën kërkesat për ekstradim nga drejtësia italiane dhe kaluan në botën e biznesit, ku prej vitesh ushqehen me financat publike, duke përfituar tenderë prej miliona eurosh, në mungesë të konkurrencës.
Hetimi nga prokuroria i denoncimit publik të deputetit socialist në qarkun e Fierit, Petro Koçi, në korrik 2021 për kapje të fondeve publike në këtë qytet nga krimi, mund të ishte çelësi për të hapur “Kutinë e Pandorës” të burimeve financave të krimit të organizuar.
“Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi, që fitojnë tenderë publikë. Këtë e realizojnë nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh, nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar, që ekzekutojnë prokurimet, nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit, duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar, sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit, ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona”, – shkroi atëherë deputeti Koçi në llogarinë e tij në Facebook.