Krijimi i Asociacionit/ Nis takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel


Ka nisur takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Të pranishëm në takim janë i dërguari special i BE në lidhje me dialogun Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi i lartë i unionit për politikën e jashtme dhe sigurinë Josep Borrell.

Pritet që temë e takimit të sotëm do të jetë krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe detajet e krijimit të saj.

Kujtojmë se përpara nisjes së takimit, presidenti Vuçic u shpreh se Albin Kurti po udhëheq një fushatë kundër Serbisë.

“Do të jetë e vështirë. Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë nga Perëndimi. Megjithatë, në anën tonë është drejtësia. Është më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë sesa e fuqishme është dashuria për liri dhe sa fort duhet të ruhet, pavarësisht presioneve”, shtoi presidenti serb.

Ndërkohë, Kurti përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Një ditë më parë, ai foli edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili shprehu pritjet e SHBA-së për një takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiçit, si dhe për përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit.