Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën Altin Dumanin, kreun e SPAK-ut, si një nga 10 kampionët e luftës kundër Korrupsionit në botë përgjatë vitit 2024.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se numri një i listës ishte pikërisht drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, pasi “ka bërë një punë të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit” dhe se “ka goditur politikanë të lartë dhe grupe kriminale”.
“Ne sot vlerësojmë 10 individë të rëndësishëm që kanë bërë luftë të jashtëzakonshme kundër korrupsionit dhe ti mbështesim ata. Në e dimë që në momentin që qeveritarët bëjnë korrupsion, qytetarët humbin besimin te qeveria. Por krijon edhe kushte për kriminelët dhe terroristët që të jenë më aktivë. Ndaj ne kemi dhënë mbështetje të jashtëzakonshme për të trajnuar për të dhënë ndihmë për këto vende që kanë probleme”, tha Blinken.
DASH postoi në faqen në rrjetin social X, edhe një foto-portret me dekorimin e Dumanit, ku ngriti lart vlerat e tij në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Urime Altin Dumanit për shpalljen si një nga 10 kampionët e luftës kundër korrupsionit, si drejtues i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar, me integritet, profesionalizëm dhe kurajo”, thuhet në këtë postim.