Kreu i një grupi kriminal të trafikut të drogës, Gjykata e Lartë liron nga qelia Kreshnik Farrukun

Gjykata e Lartë ka vendosur të lirojë nga burgu Kreshnik Farrukun, i konsideruar si kreu i një grupi të rrezikshëm kriminal që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës. Arrestimi i tij u bë më 11 janar 2025, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku ai kërkohet nga autoritetet për përfshirje në aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike.

Vendimi për lirimin e tij është marrë pavarësisht akuzave të rënda që rëndojnë mbi Farrukun dhe lidhjeve të tij të dyshuara me rrjete të mëdha kriminale që operojnë në disa shtete evropiane.

Farruku është personazh i njohur për drejtësinë ndërkombëtare, dhe është përmendur vazhdimisht në hetime që përfshijnë edhe persona të tjerë të përfshirë në të njëjtin klan. Në dhjetor të vitit 2024, GJKKO vendosi konfiskimin e 27 pasurive në emër të tij dhe të Kreshnik Budllës, të dyshuar si të përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me trafikun e drogës.

Autoritetet italiane kishin lëshuar urdhër-arrest europian ndaj Budllës që prej vitit 2018, ndërsa hetimet kishin nisur që në vitin 2007 nga policia spanjolle. Farruku, i njohur ndryshe edhe me mbiemrin Budlla, është përmendur si një nga krerët kryesorë të klanit kriminal “Farruku”, të përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës, grabitje dhe krime të tjera të rënda.

Arrestimi i tij vite më parë në një hotel në Madrid, pranë zonës “La Castellana”, ndodhi pasi ai tentoi të përdorte dokumente të falsifikuara spanjolle dhe shqiptare në emër të personave të ndryshëm. Hetuesit zbuluan se ai kishte përdorur deri në 10 identitete të ndryshme, për të shmangur zbulimin nga autoritetet.

Burime të grupit hetimor kanë treguar se Farruku ishte në fokus të hetimeve që nga viti 2007, kur u dyshua si i përfshirë në grabitjen e vilës së biznesmenit Jose Luis Moreno në Boadilla, por asokohe nuk u arrestua.

Gjithashtu, ai ka qenë një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e shefit të tij më 21 janar 2010, në rrugën “Telemaco” të Madridit. Pas kësaj vrasjeje, dyshohet se Farruku mori komandën e organizatës kriminale. Autoritetet spanjolle kishin identifikuar si autor të të shtënave Devi Kasmim, shtetas shqiptar, i cili më vonë u vra në Tiranë në janar 2018.