Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi voton në Tiranë, mesazh për qytetarët: Fotografimi i votës do ndëshkohet me minimum 3 vjet burg

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka hedhur votën e tij sot në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në Tiranë. Pas aktit të votimit, ai ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka theksuar rëndësinë e respektimit të procesit zgjedhor dhe ndëshkimin e shkeljeve të ligjit.

Celibashi ka paralajmëruar qytetarët se fotografimi i fletës së votimit është një shkelje e rëndë e ligjit dhe do të marrë përgjigjen e duhur nga drejtësia. Ai theksoi se ata që shkelin këtë rregull mund të përballen me një dënim minimal prej 3 vjetësh burg.

“Fotografimi i votës do marrë përgjigje nga drejtësia. Minimumi tre vjet burgim për ata që fotografojnë votën. Jo vetëm politikanët, por edhe votuesit duhet të kuptojnë se kanë përgjegjësi”, u shpreh Celibashi.

Kreu i KQZ-së bëri thirrje që të gjithë qytetarët të respektojnë procesin zgjedhor dhe të ushtrojnë të drejtën e votës në mënyrë të lirë dhe të ndershme.