Kremlini konfirmoi sot se kreu i rrëzuar i regjimit sirian, Bashar Asad, bashkë me familjen e tij, janë në Rusi dhe atyre u është dhënë azil.
“Me siguri, vendime të këtilla nuk mund të ndërmerren pa kreun e shtetit. Është vendim i tij”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke aluduar në presidentin rus Vladimir Putin.
Duke theksuar se nuk është paraparë një takim i Putinit me Asadin, Peskov tha se “nuk ka çfarë të thuhet” në lidhje me vendndodhjen e tij të tanishme.
Peskov tha se Moska po punon për të kontaktuar me të gjithë ata që mund të garantojnë sigurinë e bazave ushtarake ruse në Siri, teksa ushtria ruse gjithashtu po ndërmerr “të gjitha masat paraprake”.
Ai më tej tha se është shumë herët të flitet për statusin e bazave ushtarake ruse në Tartus dhe Khmeimim.
“Kjo është subjekt i diskutimit me të gjithë ata që do të jenë në pushtet në Siri. Tani shohim një periudhë të transformimit dhe jostabilitet ekstrem. Kësisoj, kjo do të marrë kohë. Pastaj do të nevojitet një bisedë serioze me ata që do të mbartin pushtetin”, tha Peskov.
Ai shtoi se bisedimet në formatin e Astanas për Sirinë kanë humbur qëllimin e tyre origjinal, por ato janë edhe më tej relevante si një mekanizëm për shkëmbimin e mendimeve dhe për konsultim politik midis pjesëmarrësve.
Më herët, agjencia shtetërore ruse e lajmeve, Tass, duke cituar burime nga Kremlini, raportoi se Asadi dhe familja e tij kanë arritur në Moskë dhe atyre u është dhënë azil “duke marrë parasysh çështjet humanitare”.
Pas një periudhe të një qetësie relative, shpërthyen përleshjet midis forcave të regjimit të Asadit dhe grupeve kundër regjimit më 27 nëntor në zonat rurale në perëndim të Halepit.
Përgjatë 10 ditëve, forcat opozitare kryen një sulm të shpejt duke kapur qytete të rëndësishme, që në fund, të shtunën, të marrin nën kontroll edhe kryeqytetin Damask. Avancimi i shpejtë, i mbështetur nga njësitë ushtarake që dezertuan, çoi në kolaps të regjimit të Asadit pas luftës civile që zgjati për 13 vjet.