Kremlini e quan “dështim diplomatik” vizitën e Zelenskyt në SHBA, Zakharova: Ai është nxitësi i një lufte të madhe
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka cilësuar vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington si një “dështim të plotë diplomatik të Kievit”.
Sipas saj, Zelensky është i fiksuar pas zgjatjes së luftës dhe sjellja e tij në SHBA tregoi se ai është një “nxitës i papërgjegjshëm i një konflikti të madh ndërkombëtar”.
“Me sjelljen e tij jashtëzakonisht të vrazhdë gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Zelensky konfirmoi se ai është kërcënimi më i rrezikshëm për komunitetin botëror”, tha Zakharova.
Ndërkohë, ajo theksoi se qëllimet e Moskës mbeten të pandryshuara, duke përfshirë çmilitarizimin e Ukrainës dhe aneksimin e territoreve të pushtuara aktualisht nga Rusia.
“Sa më shpejt që Kievi dhe disa kryeqytete evropiane ta kuptojnë këtë, aq më afër do të jetë zgjidhja paqësore e krizës ukrainase”, përfundoi Zakharova.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin nuk ka bërë ende ndonjë koment zyrtar mbi takimin e Zelenskyt me Trump në Zyrën Ovale.