Kreditë me probleme pësojnë rënie në vitin 2025

Ulen ndjeshëm kreditë me probleme.

Viti 2025 ka nisur me një tregues mjaft optimist, i cili konfirmon qëndrueshmërinë ekonomike të vendit, por njëkohësisht edhe aftësinë paguese të qytetarëve dhe bizneseve. Huatë me probleme kanë zbritur në 4.12%, niveli më i ulët i regjistruar që prej 2014, një tregues ky që tregon se këstet e kredive janë paguar në kohë, si nga bizneset, po ashtu edhe nga qytetarët.

Nëse bëjmë një vlerësim vjetor, norma e kredive me probleme ka rënë me 0.76 pikë përqindje, duke reflektuar përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së huadhënies. Për të stabilizuar inflacionin, Banka e Shqipërisë ka rritur disa herë normën bazë të interesit, ndërsa aktualisht ka nisur politikën lehtësuese, duke e çuar atë në 2.75%.

Rritja e normave të interesit ka një ndikim direkt në shtrenjtimin e kësteve të kredive për qytetarët dhe për bizneset. Por, mesa duket, deri më tani efekti ka qenë i pandjeshëm në përkeqësimin e bilanceve të kredive dhe ulja e normave të interesit duket se ka dhënë efektet e para në vijimin e uljes së huave me probleme në vend.