Krahason veten me Merkel, Rama: Berisha është problemi i drejtësisë, jo i imi! Shqiptarët më 11 maj do i japin përgjigjen “bufit të kënetës”

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një sesion të drejtpërdrejtë me qytetarët në rubrikën e tij “Sy m’sy”, ku u përgjigj mbi tema të nxehta që prekin politikën, ekonominë dhe çështje sociale. Përmes një lidhjeje live në Facebook, Rama bëri deklarata të forta ndaj opozitës dhe reformës në drejtësi, duke ironizuar ashpër ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kundërshtarët politikë.

Gjatë bashkëbisedimit, Rama theksoi se Reforma në Drejtësi është një nga arritjet më të mëdha historike të Partisë Socialiste, duke i dhënë fund ndërhyrjeve politike në drejtësi dhe duke çliruar sistemin nga kontrolli i pushtetit.

“Problemi i Berishës nuk është imi, por i drejtësisë. Shqiptarët më 11 maj do t’i japin përgjigjen “bufit të kënetës”, tha Rama, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj rivalit të tij politik.

Ai deklaroi se falë Reformës në Drejtësi, sot për herë të parë po ndëshkohen edhe figura që kanë qenë të lidhura me pushtetin.
“Ne kemi krijuar kapacitetet që ta godasim korrupsionin edhe kur prek njerëzit tanë. Është më mirë që të përballemi me këtë fenomen sesa ta fshehim”, shtoi Rama.

Në një tjetër koment, kryeministri krahasoi qëndrimin e tij në pushtet me atë të ish-kancelares gjermane Angela Merkel, duke theksuar se të qëndrosh gjatë në pushtet nuk është domosdoshmërisht gjë e keqe.

“Budallenj ishin gjermanët që e mbajtën Merkelin katër mandate? Apo holandezët që e kanë mbajtur kryeministrin e tyre për katër mandate? E rëndësishme është çfarë bën për vendin,” tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe tek statusi i komunitetit bektashi në Shqipëri, duke sqaruar se ai ka një vend të veçantë në organizimin shtetëror, bazuar në Kushtetutë.

Rama shprehu gjithashtu respekt për figurën e Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.

“Nuk bëhet fjalë për copëtimin e shtetit shqiptar, por për të ruajtur vlerat dhe diversitetin fetar të vendit tonë,” theksoi ai.

Në fund, Rama përcolli një mesazh për të gjithë shqiptarët, duke i ftuar të zgjedhin dialogun dhe mirëkuptimin mbi gjuhën e urrejtjes dhe shpifjeve politike.