KQZ publikon shifrat zyrtare! Sa është pjesëmarrja në votime deri në orën 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike shifrat e fundit për pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, deri në orën 15:00. Sipas të dhënave të raportuara nga 2,266 qendra votimi në të gjithë vendin, pjesëmarrja ka arritur në 32.96%.

Krahasuar me zgjedhjet lokale të zhvilluara dy vite më parë, kjo përfaqëson një rritje prej rreth 2.8%, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, pjesëmarrja deri në këtë orë ka qenë 38.6%, duke reflektuar kështu një rënie të lehtë në krahasim me atë proces.

KQZ njofton se raportimet janë në vijim dhe shifrat do të përditësohen në kohë reale nga të gjitha qendrat e votimit që ende nuk kanë dërguar informacionin. Autoritetet vijojnë thirrjet për qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës deri në mbylljen e procesit në orën 19:00.

Deri tani, janë raportuar të dhëna nga një pjesë e qendrave, dhe më poshtë paraqitet një përmbledhje e pjesëmarrjes sipas qarqeve:

Tirana kryeson si zakonisht me numrin më të lartë të votuesve – 157.403 votues nga 423.942 të regjistruar në qendrat e raportuara, që përbën 37.17% të pjesëmarrjes.

Dibra mban përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes me 38.90%, ndjekur nga Kukësi me 37.42%.

Vlora ka aktualisht përqindjen më të ulët me 23.91%, ndonëse me një numër të konsiderueshëm votuesish (31.215 nga 130.528 të raportuar). Fieri, një nga qarqet më të mëdha, ka raportuar një pjesëmarrje prej 33.79%, ndërsa Durrësi shënon 30.50%.

-Berat Deri tani në qarkun e Beratit kanë votuar 19,608 qytetarë nga 61,642 të regjistruar në qendrat e raportuara, duke shënuar një pjesëmarrje prej 31.81%.

-Dibër: Në Dibër janë paraqitur në votime 16,805 votues nga 43,200 të raportuar, me një pjesëmarrje të lartë prej 38.90%, një nga më të lartat në vend.

-Durrës: Në qarkun e Durrësit kanë votuar 60,376 persona nga 197,944 të regjistruar në qendrat e raportuara, duke arritur një pjesëmarrje prej 30.50%.

-Elbasan: Elbasani ka shënuar një pjesëmarrje prej 33.71%, me 44,043 votues nga 130,643 të regjistruar në qendrat që kanë raportuar.

-Fier: Në Fier kanë votuar 52,109 persona nga 154,198 në qendrat e raportuara, që përfaqëson një pjesëmarrje prej 33.79%.

-Gjirokastër: Qarku i Gjirokastrës ka një pjesëmarrje prej 31.03%, me 15,719 votues nga 50,658 të regjistruar në qendrat e raportuara.

-Korçë: Në Korçë kanë votuar 50,867 qytetarë nga 155,902 të raportuar, me një pjesëmarrje prej 32.63%.

-Kukës: Kukësi ka një ndër përqindjet më të larta të pjesëmarrjes, 37.42%, me 10,940 votues nga 29,238 në qendrat e raportuara.

-Lezhë: Në Lezhë kanë votuar 15,461 persona nga 48,343 në qendrat e raportuara, me një pjesëmarrje prej 31.98%.

-Shkodër: Shkodra ka shënuar një pjesëmarrje prej 28.61%, me 30,579 votues nga 106,870 të regjistruar në qendrat që kanë raportuar.

– Tiranë: Tirana, si qarku më i madh, ka raportuar 157,403 votues nga 423,942 në qendrat e raportuara, me një pjesëmarrje prej 37.17%.

-Vlorë: Vlora ka aktualisht pjesëmarrjen më të ulët me 23.91%, ku kanë votuar 31,215 persona nga 130,528 të raportuar.